Shqipëria humbet një tjetër talent premtues! Enis Rexhepi, futbollisti 18-vjeçar që aktivizohet në Gjermani me Stuttgartin, ka vendosur të vijojë rrugëtimin ndërkombëtar me përfaqësuesen e Kosovës.
Sulmuesi i ri është përfshirë në listën e Kosovës për dy sfidat e radhës në Ligën e Kombeve, duke lënë pas eksperiencën e tij me Shqipërinë U-19, ku kishte mbajtur më parë fanellën kuqezi.
Rexhepi është një prej emrave që po tërheq vëmendjen në futbollin e moshave në Gjermani. Me paraqitjet e tij te Stuttgart, ku është dalluar edhe për golat e shënuar në UEFA Youth League, ai po dëshmon potencialin për të ardhmen dhe konsiderohet një futbollist me perspektivë.
Vendimi i tij për t’iu bashkuar Kosovës përbën një tjetër zhvillim në garën mes dy përfaqësueseve për talentet e rinj me origjinë shqiptare. Kosova po vijon të afrojë futbollistë të rinj që aktivizohen në kampionatet europiane, ndërsa Shqipëria përballet me sfidën për të mbajtur pranë lojtarët premtues.
Për Kosovën, Rexhepi mund të jetë një investim i rëndësishëm për të ardhmen, ndërsa dy ndeshjet e nëntorit në Ligën e Kombeve do të jenë pjesë e kalendarit të tij të parë me përfaqësuesen.
Kosova do të përballet më 14 nëntor me Izraelin në Prishtinë, ndërsa më 17 nëntor do të luajë në transfertë ndaj Irlandës.
