Deputetja e Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit, Sara Mila, është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku është thirrur në kuadër të një hetimi për dyshime për korrupsion zgjedhor.
Hetimi lidhet me zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 dhe dyshimet për përdorimin e ndihmës ekonomike dhe përfitimeve të tjera për të ndikuar te votuesit në favor të Partisë Socialiste.
Mësohet se dosja hetimore ka mbërritur në SPAK nga Elbasani dhe po ndiqet nga prokurori i posaçëm Bledar Maksuti. Sipas burimeve, Mila është thirrur në cilësinë e deklarueses.
Deputetja ka mbërritur e vetme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme dhe nuk ka bërë komente për mediat lidhur me paraqitjen e saj.
Sara Mila u zgjodh deputete për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, duke marrë një numër të lartë votash preferenciale në qarkun e Elbasanit.
Pas daljes nga SPAK-u, Mila tha se ishte pyetur si person në dijeni dhe se do të paraqitej sërish sa herë që Prokuroria e Posaçme ta kërkonte.
“Isha si person në dijeni. Kalvari për të hedhur baltë i politikës së vjetër do të përfundojë. Sa herë SPAK të ketë nevojë për fjalën time, do të jem këtu sa herë të jetë e nevojshme. Faleminderit, se po më presin qytetarët për Ditën e Çlirimit”, tha Mila për mediat.
