Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama lidhur me librin “Albanian File”, të cilën e përshkroi si një nga dosjet më kriminale në historinë e Evropës.
Në një konferencë për gazetarët, Berisha pretendoi se 523 projekte turistike në zona të ndryshme të vendit janë miratuar pa respektuar kriteret ligjore që lidhen me pronësinë, mjedisin dhe urbanistikën.
Sipas tij, disa nga zonat më të bukura turistike të Shqipërisë janë vënë në shërbim të interesave të karteleve të drogës.
Kreu i PD-së e cilësoi këtë dosje si dëshmi të kapjes së territorit të vendit nga krimi i organizuar dhe akuzoi kryeministrin se ka trajtuar pronën publike dhe territorin si pronë personale. Berisha tha se “Albanian File”, të cilën e quajti edhe “Librin e Kuq të Padrinos”, është denoncuar më herët nga gazetarë dhe më pas nga Partia Demokratike në Parlament dhe në dalje të tjera publike.
“‘Albanian File’ është një nga dosjet më kriminale në tërë historinë e Evropës. ‘Albanian File’ është dosja që dëshmon se zonat më të bukura turistike panoramike piktoreske, peizazhet më magjike të vendit në bregdet, në kodrat, malet, luginat, majat e këtij vendi i janë shitur drogës, drogës dhe vetëm drogës.
Kurrë ndonjëherë një kryeministër nuk ka guxuar të trajtojë territorin e vendit të tij si pronën personale të veten, duke shkelur Kushtetutën, ligjet e pronësisë dhe urbanistikën e vendit.
‘Albanian File’ është dosja që mund të quhet ndryshe Shqipëria në kthetrat e karteleve të drogës. ‘Albanian File’ apo ‘Libri i Kuq’ ose ‘Dosja Shqiptare’ mund të ketë titull tjetër Padrinoja Miliarder.
‘Albanian File’ mund të ketë titull tjetër ‘Shqipëria në Kthetrat e Karteleve dhe Mafies më të Rrezikshme të Evropës dhe Botës’. Apo mund të quhet ‘Kushtetuta Urbanistike e Parë e Narkoshtetit të Parë dhe të Vetëm në Evropë’.
‘Albanian File’ ose ‘Libri i Kuq i Padrinos’, i cili është denoncuar muaj më parë së pari nga gazetarë guximtarë dhe më pas është denoncuar nga PD në këtë sallë, në parlament dhe kudo, përmbledh edhe njëherë për rikujtesë 523 projekte, për të cilat nuk ekziston as edhe një kusht i vetëm ligjor i respektuar, qoftë në rrafshin e pronësisë, qoftë në rrafshin e mjedisit, qoftë në rrafshin urbanistik dhe në asnjë rrafsh tjetër”, tha Berisha.
