Aktori dhe komediani britanik Russell Brand është shpallur fajtor për përdhunimin e një gruaje dhe tri sulme seksuale ndaj tri grave të tjera. Vendimi i jurisë shkaktoi emocione të forta në sallën e gjyqit, ku bashkëshortja e tij, Laura Gallacher, nuk arriti të mbante lotët.
Ngjarjet për të cilat u gjykua Brand datojnë në periudhën 2004-2009. Një prej tyre lidhet me përdhunimin e një 21-vjeçareje në vitin 2009, të cilën aktori e kishte njohur pas një shfaqjeje në teatrin Hammersmith Apollo.
Juria, pas më shumë se tetë orësh diskutimesh, e shpalli fajtor edhe për tri raste të tjera të abuzimit seksual. Viktimat ishin punonjëse të MTV-së, Capital Radio-s dhe Channel 4.
Megjithatë, Brand u shpall i pafajshëm për disa prej akuzave të tjera, përfshirë dy akuza për përdhunim dhe një për tentativë sulmi të pahijshëm.
Momenti më emocional në sallën e gjyqit ishte reagimi i bashkëshortes së tij. Laura Gallacher, e cila e kishte shoqëruar dhe mbështetur gjatë procesit, u fotografua duke qarë pas shpalljes së vendimit. Pak çaste më parë, aktori i ishte drejtuar asaj me fjalët: “Laura, të dua”.
Pas vendimit, Brand u la në paraburgim dhe pritet të mësojë masën e dënimit në Gjykatën e Southwark.
Ndërkohë, hetimet mund të zgjerohen edhe më tej. Dy gra të tjera kanë ngritur pretendime për abuzime seksuale, përfshirë një rast që lidhet me një vajzë 16-vjeçare. Këto akuza nuk janë shqyrtuar në procesin aktual dhe autoritetet po vlerësojnë hapat e mëtejshëm ligjorë.
Pretendimet ndaj aktorit u bënë publike fillimisht në vitin 2023, pas një investigimi të publikuar nga Channel 4 në dokumentarin “Dispatches”. Që prej atëherë, çështja ka marrë përmasa të gjera, duke u shoqëruar edhe me padi civile në Britani dhe SHBA.
Një prej padive është ngritur nga një grua që kërkon 100 mijë paund dëmshpërblim për një sulm të pretenduar në Los Angeles, në vitin 2008. Një tjetër padi është depozituar në Nju Jork nga një aktore figurante e filmit “Arthur”, e cila pretendon se është sulmuar seksualisht gjatë xhirimeve.
Drejtuesi i hetimit, Andy Furphy, vlerësoi gratë që dëshmuan gjatë procesit, duke theksuar rëndësinë e guximit të tyre për të denoncuar abuzimet. Ai nënvizoi se fama dhe pozita publike nuk duhet ta vendosin askënd mbi ligjin.
Russell Brand ka mohuar akuzat ndaj tij. Ndërsa procesi penal ka arritur në këtë fazë me shpalljen e fajësisë për katër akuza, vëmendja tashmë është përqendruar te dënimi dhe hetimet për pretendimet e tjera.
