Giovanni Battista Telesca, administratori italian i kompanisë “Euro Beton 2005”, është dërguar në gjyq nga Prokuroria e Tiranës, i akuzuar për mashtrim, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.
Sipas hetimeve disa mujore, Telesca dyshohet se përmes kompanisë së tij përfitonte lëndë të para nga subjekte të ndryshme ekonomike, duke premtuar pagesa ose apartamente, por më pas mohonte furnizimet dhe detyrimet financiare.
Lëndët e para përdoreshin për prodhimin dhe shitjen e betonit, ndërsa furnizimet e pafiskalizuara dhe shitjet dyshohet se shërbenin për fshehjen e të ardhurave dhe ligjërimin e përfitimeve të paligjshme.
Në kuadër të hetimit, Prokuroria ka vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të kompanisë me vlerë rreth 10 milionë euro.
Mes pasurive të sekuestruara janë 8 prona të paluajtshme, përfshirë toka, një pallat dhe njësi tregtare, si dhe 25 automjete, mes tyre betoniera, pompa betoni dhe mjete transporti.
Pasuritë dhe aktiviteti tregtar i kompanisë i janë kaluar në administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Telesca dhe shoqëria “Euro Beton 2005” do të përballen me gjykatën për tri vepra penale: mashtrim, fshehje të ardhurash dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
