Një prej dosjeve më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të kokainës ka përfunduar në dyert e gjykatës. SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 16 persona të dyshuar si pjesë e organizatës kriminale të drejtuar, sipas akuzës, nga Franc Çopja dhe Ervis Çela.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, rrjeti kriminal dyshohet se ka trafikuar rreth 61 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës, duke ndërtuar një mekanizëm të organizuar ndërkombëtar që përfshinte furnizimin me drogë, transportin detar, nxjerrjen e ngarkesave nga portet europiane dhe pastrimin e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Në kuadër të hetimit janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 9.2 milionë euro.
Si funksiononte organizata dhe çfarë akuzash rëndojnë mbi të pandehurit?
Franc Çopja, Ervis Çela dhe nëntë persona të tjerë akuzohen për trafikim të narkotikëve në kuadër të organizatës kriminale, pjesëmarrje dhe organizim të strukturës kriminale, si dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Ndërkohë, Albin Çela, Elidon Çela dhe Denis Daja akuzohen për pastrim parash, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe kryerje të veprave penale në kuadër të saj.
Ditjon Pepa dhe Kujtim Gjyla akuzohen për pastrim të produkteve të veprës penale në bashkëpunim.
SPAK ka marrë gjithashtu të pandehur Riza Çelën dhe Albin Çelën për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm, të kryer në bashkëpunim dhe për qëllime fitimi.

Kodet sekrete që përdorte rrjeti për kokainën
Hetimet kanë zbuluar edhe gjuhën e koduar që përdornin anëtarët e organizatës për të komunikuar mbi lëvizjen e ngarkesave të drogës.
Sipas SPAK-ut, laboratorët ku prodhohej kokaina në rajonin e Andeve, veçanërisht në Bolivi, përmendeshin me termin “kuzhina”.
Ndërsa fjala “hipja” përdorej për të nënkuptuar ngarkimin e kokainës në anije në Paraguaj, termi “dalja” i referohej nxjerrjes së saj nga porti europian ku mbërrinte ngarkesa.
Edhe transaksionet financiare realizoheshin përmes kodeve dhe mekanizmave të posaçëm. Sipas hetimeve, organizata përdorte sistemin informal të transferimit të parave “Hawala”, përmes një rrjeti ndërmjetësish. Një pseudonim i quajtur “token” shërbente si kod verifikimi për konfirmimin e dorëzimit të shumave të parave.

Sa kushtonte kokaina dhe sa paguhej për të kaluar portet?
SPAK ka zbardhur edhe detaje mbi kostot e operacionit të trafikut, nga blerja e kokainës në Amerikën e Jugut deri te nxjerrja e saj në tregun europian.
Sipas dosjes hetimore, një kilogram kokainë blihej për 4.100 deri në 4.200 dollarë, çmim që përfshinte transportin deri në portin e Villetës në Paraguaj.
Për ngarkimin e drogës në anije paguhej gjithashtu një ryshfet prej 1.300 dollarësh për kilogram.
Ndërsa në portet europiane, për të garantuar nxjerrjen e ngarkesës, paguhej një shumë që arrinte në 15% të sasisë së kokainës. Kjo pagesë, sipas hetimeve, realizohej zakonisht në natyrë, pra me vetë lëndën narkotike.
Furnizuesit ofronin deri në 3 tonë kokainë pa parapagim
Një tjetër element që del në pah nga hetimet është pesha që kishte Ervis Çela në marrëdhëniet me furnizuesit e Amerikës së Jugut.
Sipas SPAK-ut, furnizuesit ishin të gatshëm t’i vinin në dispozicion atij dhe bashkëpunëtorëve të tij sasi nga 2.000 deri në 3.000 kilogramë kokainë pa kërkuar parapagim. Shlyerja e detyrimit financiar shtyhej për një moment të mëvonshëm.
Komunikimet e përgjuara dhe të analizuara nga hetuesit kanë zbuluar gjithashtu se, në disa raste, laboratorët e prodhimit nuk arrinin të përmbushnin kërkesat e rrjetit, për shkak të vështirësive në sigurimin e sasive të mëdha të kokainës.

Rrjeti ndërkombëtar: nga Uruguai dhe Paraguaji deri në Brazil
Në dosjen e SPAK-ut janë identifikuar edhe disa prej bashkëpunëtorëve të huaj që dyshohet se kishin role të rëndësishme në furnizimin, transportin dhe pastrimin e parave të organizatës.
- Shtetasi uruguaian S.E.M.C. – Sipas hetimeve, ai ishte një prej kontakteve të rëndësishme të Ervis Çelës. Është arrestuar në Bolivi në vitin 2023 dhe më pas është ekstraduar në SHBA. Sipas autoriteteve amerikane, dyshohet se drejtonte një organizatë ndërkombëtare të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës dhe të pastrimit të parave.
- Shtetasi uruguaian F.E.S.V. – Dyshohet se ndërmjetësonte transferimin e miliona dollarëve të përfituar nga trafiku i drogës drejt Amerikës së Jugut dhe destinacioneve të tjera. Ai u arrestua në Paraguaj në gusht 2023, në kuadër të operacionit “A Ultranza PY”, dhe u ekstradua në SHBA në korrik 2024.
- Shtetasi paraguajan D.I.B.C. – Pronar i disa shoqërive tregtare, të cilat dyshohet se përdoreshin për magazinimin, përgatitjen dhe kamuflimin e kokainës brenda produkteve të ligjshme, përpara transportimit me kontejnerë drejt Europës. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
- Shtetasi paraguajan A.R.G. – Aktualisht i arrestuar, ai përballet me akuza në Paraguaj dhe Brazil për përfshirje të dyshuar në krimin e organizuar ndërkombëtar. Sipas hetimeve, zotëronte avionë sportivë që dyshohet se përdoreshin për transportimin e kokainës nga Bolivia drejt Paraguajit.
- Shtetasi brazilian C.S.L. – Në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet braziliane, ai dyshohet se bashkëpunonte me Ervis Çelën në organizimin, financimin dhe shpërndarjen e ngarkesave shumëtonëshe të kokainës.
- Shtetasit brazilianë R.P.A. dhe Th.A.D.B. – Sipas dosjes, ata kishin role në administrimin e laboratorëve, përcaktimin e cilësisë së kokainës dhe identifikimin e ngarkesave përmes shenjave dhe markave të vendosura mbi pakot e drogës.
Miliona dhe potencialisht miliarda euro nga aktiviteti kriminal
Përmasat e aktivitetit të dyshuar kriminal kanë bërë që një pjesë e rëndësishme e hetimit të përqendrohet te gjurmimi i parave dhe identifikimi i pasurive që mund të jenë krijuar nga trafiku i narkotikëve.
Sipas SPAK-ut, përfitimet financiare nga ky aktivitet mund të kenë arritur vlera jashtëzakonisht të mëdha, potencialisht deri në miliarda euro.
Hetuesit kanë analizuar mekanizmat e përdorur për transferimin, investimin dhe fshehjen e të ardhurave, ndërsa deri më tani janë sekuestruar pasuri me vlerë 9.2 milionë euro.
Tashmë, pas përfundimit të hetimeve paraprake, 16 të pandehurit do të përballen me procesin gjyqësor, ku do të shqyrtohen provat dhe akuzat e ngritura nga SPAK për një rrjet që dyshohet se kishte shtrirë aktivitetin e tij nga Amerika e Jugut deri në portet e Europës.
