Bashkëshortja dhe djali i Urim Fikut, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e 61-vjeçarit në Bulqizë, kanë mohuar akuzat para Gjykatës së Dibrës, ku po zhvillohet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj tyre.
Sadete Fiku, 57 vjeçe, dhe djali i saj, Gazmir Fiku, 33 vjeç, mësohet të jenë shprehur para gjykatës se nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen. “Nuk e vramë ne, nuk kemi lidhje me ngjarjen”, kanë deklaruar ata, duke mos pranuar autorësinë e krimit.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 nëntor, në fshatin Godvi të Bulqizës. Fillimisht, familjarët pretenduan se 61-vjeçari ishte sulmuar nga një ari, por ekspertiza mjeko-ligjore e kryer në Tiranë rrëzoi këtë version. Ekzaminimet zbuluan se Urim Fiku kishte një plagë në gjoks të shkaktuar nga arma e zjarrit.
Dyshimet u shtuan edhe pas konstatimit të dëmtimeve në kokën e viktimës, ndërsa policia arrestoi një ditë pas ngjarjes bashkëshorten dhe djalin e tij, të dyshuar për përfshirje në vrasje.
Sipas raportimeve, familjarët e kishin transportuar 61-vjeçarin drejt spitalit të Bulqizës, ku ai kishte mbërritur pa shenja jete. Ata gjithashtu nuk kishin pranuar që trupi të përgatitej nga personeli i spitalit, duke deklaruar se, sipas traditës së tyre, këtë proces do ta kryenin vetë.
Seanca në Gjykatën e Dibrës vijon ende dhe deri më tani nuk është dhënë një vendim për masën e sigurisë ndaj dy të dyshuarve. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes vijojnë.
