Veliaj drejt një tjetër operacioni në këmbë, mjekët rekomandojnë ndërhyrje të re kirurgjikale
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pritet t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të frakturës në këmbë. Vendimi vjen pas një ekzaminimi të kryer ditën e sotme në Spitalin Memorial të Fierit, ku mjekët kanë rekomanduar një operacion të ri për trajtimin e dëmtimit.
Shqetësimet për gjendjen e tij shëndetësore janë ngritur prej ditësh nga avokati Plarent Ndreca. Ky i fundit ka deklaruar më herët se prej afro dy javësh ishte kërkuar zyrtarisht kryerja e ekzaminimeve mjekësore për të vlerësuar ecurinë e rikuperimit, por kontrollet nuk ishin realizuar.
Aktualisht, Veliaj ndodhet në ambientet spitalore të burgut të Fierit, ku u transferua pas frakturës në këmbë. Gjatë kësaj periudhe, ai ka lëvizur me ndihmën e patericave dhe ka marrë medikamente qetësuese për të përballuar dhimbjet.
Rekomandimi i fundit i mjekëve për një ndërhyrje të re kirurgjikale e rikthen në vëmendje situatën shëndetësore të kryebashkiakut.
