Katër persona janë arrestuar dhe 7 të tjerë janë proceduar penalisht pas akteve të dhunës të regjistruara gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, janë arrestuar Kevin Ndrevataj, Muhamet Karaj, Blerdjan Murati dhe Zef Nika..
Gjatë kontrollit fizik të 24-vjeçarit Kevin Ndrevataj, policia ka gjetur një sasi lënde narkotike kanabis dhe një send metalik shpues. Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij janë sekuestruar një send imitues i armës së zjarrit dhe 50 sfera.
Ndërkohë, në kuadër të zbatimit të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, janë plotësuar 12 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit.
Një prej masave administrative, në vlerën 500 mijë lekë, është vendosur ndaj një protestuesi, i cili, i maskuar me kapuç, dyshohet se ka kryer veprime të dhunshme duke hedhur gurë në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinës së Kryeministrisë.
Sipas Policisë, personi në fjalë nuk ka respektuar as thirrjet e përsëritura të efektivëve për të ndërprerë veprimet e dhunshme dhe për t’u shpërndarë nga tubimi.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjeve dhe përcaktimin e përgjegjësive për secilin prej personave të përfshirë.
