Një ngjarje e rëndë ka tronditur Poloninë, pasi gjashtë persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë janë plagosur nga një sulm me armë zjarri në sheshin kryesor të qytetit të Krakovit.
Sulmi ndodhi pasditen e së shtunës, më 7 nëntor, në sheshin historik Main Market Square, një nga zonat më të frekuentuara nga turistët dhe qytetarët.
Sipas informacioneve paraprake, një 24-vjeçar polak dyshohet se ka hapur zjarr në drejtim të kalimtarëve nga një automjet, duke shkaktuar panik dhe kaos në zonë. Qytetarët dhe turistët janë larguar me vrap, duke kërkuar strehim në dyqanet dhe restorantet përreth.
Mes viktimave janë katër gra dhe dy burra, ndërsa në mesin e të plagosurve ndodhen edhe dy efektivë policie. Njëri prej tyre raportohet në gjendje kritike.
Policia ndërhyri menjëherë, duke qëlluar dhe arrestuar autorin e dyshuar, i cili mbeti gjithashtu i plagosur dhe u transportua në spital.
Hetimet kanë marrë një tjetër kthesë të rëndë pas zbulimit të tre trupave të pajetë në banesën e të dyshuarit. Sipas autoriteteve polake, viktimat janë babai, nëna dhe motra e tij.
Ministri i Brendshëm polak ka deklaruar se i dyshuari shfaqte bindje radikale dhe ishte i lidhur me ideologjinë e ekstremit të djathtë. Autoritetet po hetojnë motivet e sulmit, ndërsa ngjarja po trajtohet si vepër e dyshuar terroriste.
Pas tragjedisë, qeveria polake ka shpallur dy ditë zie kombëtare, më 8 dhe 9 nëntor, në nderim të viktimave.
Ndërkohë, masat e sigurisë janë përforcuar në disa zona të rëndësishme të vendit, ndërsa sheshi kryesor i Krakovit mbetet pjesërisht i bllokuar për shkak të hetimeve.
Sulmi ka shkaktuar tronditje të madhe në Poloni dhe reagime solidariteti nga përfaqësues të institucioneve evropiane.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje tragjike.
