Esmeralda Hasani është propozuar nga kryeministri Edi Rama për të marrë drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Juristja dhe ekspertja e projekteve, me përvojë në administratën qeveritare dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, pritet të pasojë Vlora Hysenin në krye të institucionit. Propozimi nuk është bërë ende publik.
Hasani është mike e Vlora Hysenit, ish -drejtoreshës që ndodhet në arrest shtëpie, pasi SPAK e akuzon për nxjerrje të sekreteve shtetërore dhe bashkëpunim me Ergys Agasin. Ajo ishte emëruar shefe e Departamentit Mbështetës në SHISH pak kohë më parë nga Hyseni.
Esmeralda Hasani vjen nga një karrierë që ndërthur mësimdhënien universitare, drejtimin e instituteve dhe këshillimin pranë institucioneve qeveritare. Profili i saj publik lidhet kryesisht me të drejtën europiane, projektet e zhvillimit, sigurimin e financimeve dhe politikat për diasporën.
Ajo prezantohet nëpër forume të ndryshme si konsulente e lartë pranë Zyrës së Kryeministrit për planifikimin e projekteve dhe sigurimin e financimeve. Sipas këtij prezantimi, Hasani është diplomuar në të drejtën ndërkombëtare në Milano dhe ka kryer një master për planifikimin dhe zhvillimin e projekteve në Innovation Business School, në Bruksel. Angazhimi i saj në mësimdhënie përfshin të drejtën europiane dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Një pjesë të përvojës profesionale e ka ndërtuar në institucionet e lidhura me Universitetin Barleti. Gjatë periudhës shtator 2015-shtator 2019 ka drejtuar Institutin për Kërkim dhe Zhvillim Barleti, për të kaluar më pas në drejtimin e Institutit Adriapol. Broshura zyrtare e Universitetit Barleti për vitin 2022 e rendit si drejtoreshë ekzekutive të Adriapolit, i angazhuar në kërkim, projekte arsimore, konsulencë dhe iniciativa zhvillimi.
