Një 44-vjeçar shqiptar, i dënuar me dy burgime të përjetshme për një vrasje të dyfishtë që tronditi Greqinë në vitin 2020, është arrestuar nga policia greke pas gjashtë vitesh në arrati. Bëhet fjalë për Nikolin Palin, i cili u kap gjatë një operacioni policor në zonën e Patisionit, në Athinë.
Ai akuzohet për vrasjen brutale me sëpatë të ish-partneres së tij, 43-vjeçares me origjinë ukrainase Svetlana, dhe partnerit të saj të ri, farmacistit 42-vjeçar loannis Zonitsas. Trupat e tyre u gjetën më 11 tetor 2020 në një banesë pushimi në Flambouro, pranë Korinthit.
Sipas mediave greke, Pali kishte arritur t’u shmangej autoriteteve për gjashtë vite, duke dyshohet se përdorte dokumente identifikimi të falsifikuara. Gjatë arrestimit, në apartamentin ku qëndronte policia gjeti një pistoletë dhe dy granata.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu dyshimet se gjatë periudhës që ishte në arrati, 44-vjeçari mund të jetë përfshirë në vrasje të tjera dhe të ketë vepruar si vrasës me pagesë.
Sipas hetimeve për krimin e vitit 2020, motivi dyshohet se lidhej me xhelozinë dhe mospranimin e ndarjes nga ish-partnerja. Pas vrasjes, autori dyshohet se kishte marrë telefonat e viktimave dhe i kishte vënë flakën makinës së gruas në përpjekje për të zhdukur gjurmët.
Tashmë, pas arrestimit në Athinë, autoritetet greke po hetojnë aktivitetin e tij gjatë gjashtë viteve të arratisë dhe lidhjet e mundshme me ngjarje të tjera kriminale.
