Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” sot më 8 nëntor për mësuesin 35-vjeçar A.A, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj shtatë nxënëseve të shkollës së bashkuar “Hajredin Beqari” në Selenicë.
Rasti u denoncua pak ditë më parë nga shtatë vajza të moshave 14 deri në 17 vjeçe, të cilat kanë pretenduar se janë ngacmuar nga mësuesi i edukimit fizik në ambientet e shkollës. Pas kallëzimit, Policia e Vlorës shoqëroi 35-vjeçarin, i cili prej rreth dy muajsh ishte pjesë e stafit pedagogjik të këtij institucioni arsimor.
Ditën e sotme, A.A u paraqit në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, ku u zhvillua seanca për caktimin e masës së sigurisë. Në ambientet e gjykatës u mblodhën familjarë, miq dhe të afërm të mësuesit, të cilët dolën në mbështetje të tij dhe ndoqën nga afër zhvillimet e seancës. Në përfundim, gjykata vendosi që 35-vjeçari të hetohet në masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Avokatja e tij, Anxhela Karavokyri, foli pas seancës për vendimin e gjykatës dhe qëndrimin e mbrojtjes lidhur me çështjen. Ndërkohë, rasti ka ngjallur reagime edhe në komunitetin e Selenicës. Gjatë një vëzhgimi në terren, disa nxënës të shkollës treguan se kishin dëgjuar për pretendimet e ngritura ndaj mësuesit.
Edhe prindër të nxënëseve kanë deklaruar se kishin dëgjuar për pretendime mbi sjellje të papërshtatshme të mësuesit ndaj vajzave, përfshirë ngacmime dhe prekje fizike. Nga ana tjetër, një prej kolegëve të tij, mësuesi D.G, i cili tha se e njihte A.A prej rreth dy muajsh, u shpreh se nuk e besonte që ai mund të kishte kryer veprime të tilla.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa A.A prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë.
