Një 32-vjeçar është arrestuar dhe një 27-vjeçar është proceduar penalisht nga Policia e Gjirokastrës, pasi dyshohet se transportonin kundrejt pagesës një emigrant nga Afganistani, i cili kishte hyrë ilegalisht në Shqipëri nga kufiri me Greqinë.
Operacioni policor i koduar “Zona 3” u finalizua nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë së Gjirokastrës.
Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Sarandë-Gjirokastër”, në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit”, u ndalua një automjet tip “Renault”, me drejtues shtetasin K. B., 32 vjeç, banues në Tiranë, dhe pasagjer M. Gj., 27 vjeç.
Nga kontrolli rezultoi se dy të rinjtë po transportonin kundrejt pagesës një emigrant nga Afganistani, i cili kishte kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin shqiptar.
Gjatë hetimeve u zbulua gjithashtu se 32-vjeçari kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Tiranës, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Ndërkohë, gjatë kontrollit të automjetit u gjetën edhe dy çanta me veshje të ndryshme, të dyshuara si mallra kontrabandë, të cilat i përkisnin 27-vjeçarit.
Në përfundim të operacionit, 32-vjeçari u arrestua, ndërsa 27-vjeçari u procedua penalisht.
