Një 34-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Vlorës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Yacht”, pasi dyshohet se ka tentuar të përdorë një armë zjarri gjatë një konflikti me një 41-vjeçar.
Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:50, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në vendin e quajtur “Rrapi”. Gjatë patrullimit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një konflikt për motive të dobëta mes shtetasit Mario Meçanaj, 34 vjeç, banues në Vlorë, dhe E. H., 41 vjeç, banues në Tiranë.
Policia ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Gjatë ndërhyrjes, 34-vjeçari ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur dhe neutralizuar nga efektivët.
Nga hetimet paraprake dyshohet se gjatë konfliktit, 34-vjeçari ka tentuar të përdorë një pistoletë, të cilën më pas e ka hedhur në rërë, në vendin ku u kap nga policia. Arma e zjarrit u gjet dhe u sekuestrua si provë materiale.
Ndërkohë, gjatë kontrollit të automjetit të tij, efektivët gjetën edhe një përforcues metalik grushti, i cili gjithashtu u sekuestrua.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
